1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A janë më të lira sipërmarrjet ushtarake private?

Alexander Drechsel8 Qershor 2015

Me aksionet jashtë vendit sipërmarrjet ushtarake private i kanë zgjeruar vazhdimisht fushat e tyre të biznesit.

https://p.dw.com/p/1Fcu3
Fotografi: picture alliance/Photoshot

Pas skandalit me sipërmarrjen amerikane Blackwater në vitin 2007, për sipërmarrjet private që ofrojnë shërbime për ushtrinë filloi të diskutohej kudo. Punonjësit e Blackwater kishin qëlluar disa herë në Irak përreth pa ndonjë shkak dhe kishin vrarë edhe civilë. Asokohe u fol për mercenarë modernë, që shkojnë në luftë vetëm për shkak të parave dhe nuk veprojnë në përputhje me ligjin. Por pas kësaj debati për këto sipërmarrje ra në heshtje. Tani studiuesit gjermanë që merren me studimet për paqen, konstatojnë se sipërmarrje të tilla janë më aktive se kurrë dhe duan që ta sjellin këtë problem përsëri në vëmendjen e opinionit të gjerë. Për këtë ata u kanë kushtuar vëmendje të madhe këtyre firmave në Raportin për Paqen 2015.

Zgjerim i vazhdueshëm i sferës së biznesit

Ndërkohë sipërmarrje të tilla janë bërë më të kujdesshme dhe nuk dalin më pah si Rambo, por ato janë më aktive se më parë. "Shërbimet kryesore të këtyre kompanive lidhen me ruajtjen e pronave dhe të personave - natyrisht, kryesisht në zonat e konfliktit - mbledhjen e informacioneve përmes intervistave, spiunazhit klasik, por dhe përmes operacione ajrore ër mbikëqyrje. Kusht është që këto sipërmarrje të kenë pajisjet e përshtatshme dhe veçanërisht, dhe kjo është shumë e rëndësishme, një staf të trajnuar mirë si privat dhe shtetëror", thotë politologu Florian Flörsheimer.

Irak Bundeswehr Peschmerga-Ausbildung
Fotografi: picture-alliance/dpa/J. Kuhlmann

Një zgjerim të vazhdueshëm të fushave të biznesit të sipërmarrjeve ushtarake private konstaton edhe Elke Krahmann, një nga autoret e Raportit për Paqen 2015. Në vitet nëntëdhjetë, kompani të tilla i kanë ofruar për shembull shërbime logjistike ushtrisë gjermane, Bundeswehr, kryesisht brenda Gjermanisë, thotë profesorja e Universitetit Brunei në Londër. Me fillimin e misioneve gjermane jashtë vendit, u shtua mirëmbajtja e pajisjeve ushtarake në vendet ku vepron Bundeswehri. Dhe modeli i biznesit u zgjerua edhe më tepër me misionin në Afganistan, ku për shembull baza ushtarake gjermane, ruhej nga roje të armatosura firmash private.

Më lirë apo më shtrenjtë?

Parë në krahasim ndërkombëtar ushtria gjermane ka qenë shumë më e kujdesshme se vende të tjera, në angazhimin e firmave private që ofrojnë shërbime ushtarake. Por pavarësisht kësaj si Bundeswehri, si ushtria amerikane apo të tjera, të gjitha shpresojnë se mund t'i ulin shpenzimet duke ngarkuar me shërbime të ndryshme firma private, pra përmes outsourcing. "Megjithatë kjo nuk mund të provohet vërtet. Sidomos në rastin e ndërhyrjeve ndërkombëtare firmat private kanë përfituar nga mungesa e kontrollit dhe i kanë ngritur kostot për shërbimet. Madje shpesh ato kanë faturuar më tepër shërbime se sa kishin ofruar në të vërtetë" thotë Elke Krahmann. Në rast se krahasojmë shpenzimet brenda dhe jashtë vendit, "unë nuk do të thosha se përdorimi i tyre gjatë veprimeve ushtarake ndërkombëtare është më efektiv sa u përket kosotove."

Elke Krahmann
Elke KrahmannFotografi: privat

Sidomos forcat ushtarake amerikane kanë pasur shumë raste që kontraktorët privatë për shërbime ushtarake kanë mashtruar në fatura. Por edhe në Gjermani ,ku nuk ka pasur raste spektakolare mashtrimesh, shpresat se përmes angazhimit të firmave private do të sillnin ulje të kostos nuk janë përmbushur gjithmonë. Për këtë firma që Bundeswehri i kishte themeluar dikur vetë, për të vepruar në mënyrë më efikase, tani po i shpërbën dhe po i integron këto shërbime përsëri në ushtri. Edhe CDU/CSU dhe SPD, që përbëjnë koalicionin e qeverisë gjermanë, janë kundër kalimit të detyrave me karakter ushtarak tek firmat private dhe për ruajtjen e monopolit shtetëror në këtë fushë.