Bora ka bllokuar shumë rajone në Alpe
15 Janar 2019Përfundim i reshjeve gati dyjavore u mundëson ekipeve të shpëtimit që të veprojnë edhe në zonat e bllokuara nga bora. Rreziqet nga rrëshqitjet e borës janë ende tepër të mëdha. Ndërprerja e reshjeve do të ishte një sinjal për hapjen e shumë rrugëve të bllokuara për shkak të rrezikut nga orteqet e borës. Të hënën në Austri kanë qenë të mbyllura 180 rrugë. Në landin Salzburg kanë qenë të shkëputur nga bota rreth 41.000 njerëz që kanë mbetur të bllokuar.
"Duket se gjendja do të shtensionohet", thotë Thomas Wostal nga Qendra për Meteorologji dhe Gjeodinamikë (ZAMG) në Vjenë. Edhe sot (15.01) kanë vazhduar punimet në zhbllokimin e rrugëve dhe furnizimin e njerëzve të bllokuar. "Por turistët dhe sportistët edhe më tej duhet të kenë kujdes se në cilat zona lëvizin, për shkak të rrezikut nga rrëshqitjet e borës. Të mërkurën gjendja do të jetë edhe më e rrezikshme, për shkak të ngritjes së mundshme të temperaturave", bëjnë të ditur ekipet e shpëtimit.
Brenda dy javësh në këto rajone ka rënë trefishi i borës që zakonisht bie atje gjatë muajit janar. Lartësia e borës në disa zona të Tirolit ka arritur deri në 4,5 metra. Në përgjithësi niveli i borës në këto zona është aktualisht rreth 3-5 metra. Autoritetet thonë se në tetë ditët e kaluara janë hedhur rreth 5000 tonelata kripë.
Të hënën kanë qenë të bllokuara shumë zona në Aple - në Gjermani, Zvicër dhe Austri. Ekipet e shpëtimit kanë shkaktuar shpërthime dhe rrëshqitje të kontrolluara të borës, me qëllim hapjen e rrugëve dhe evitimin e rreziqeve. Ndërkohë njoftohet edhe për tre persona të tjerë që kanë humbur jetën. Gjendje e rëndë është edhe në Davos të Zvicrës, ku do të mbahet takimi i dhjetëra presidentëve dhe kryeministrave nga mbarë bota. Tema këtë vit janë pikërisht ndryshimet e klimës dhe rreziqet nga këto ndryshime ekstreme.
Edhe në Bavari ka pasur probleme të mëdha me reshjet e borës. Shumë shtëpi janë dëmtuar nga sasitë e mëdha të borës mbi kulme, disa hotele janë mbyllur dhe evakuuar. Mijëra ndihmës janë ende në terren. Ndërkohë edhe ushtria është duke ndihmuar popullatën civile dhe shërbimet e ndihmave. Vlerësohet se në terren janë rreth 1500 ushtarë dhe 230 pjesëtarë të forcave të sigurisë. Shumë zona janë mbyllur për turistë dhe sportistë.
bc/ust/stu (dpa, afp)