1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A do të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë EULEX-i?

Bekim Shehu/Prishtinë16 Maj 2016

Autoritetet në Prishtinë pranojnë se organet kosovare të drejtësisë nuk kanë arritur t’i menaxhojnë disa situata të ndjeshme në mënyrë që të japin argumente se EULEX-i duhet të largohet nga Kosova.

https://p.dw.com/p/1IohC
Eulex Logo

Autoritet e Prishtinës dhe ato të Bashkimit Evropian, tashmë janë në fazën finale të bisedimeve për vazhdimin e mandatit të misionit të misionit EULEX në Kosovë. Ky mision në bazë të një marrëveshjeje të dy vjetëve më parë do të duhej të largohej nga Kosova me 16 qershor të këtij viti, por, tashmë kjo nuk do të ndodhë. Në fundjavën e shkuar, në Kosovë qëndroi Shefi i Operacioneve Civile të Bashkimit Evropian, Kenneth Dean, i cili siç thuhet në një njoftim të qeverisë, diskutoi me“Ministrin e Drejtësisë në qeverinë e Kosovës, Hajredin Kuçi çështjet që ndërlidhen me mandatin e EULEX-it në Kosovë, për pozicionet rreth kësaj çështjeje dhe nevojën për konkludim sa më të shpejtë të një marrëveshjeje të re”.

“Kuçi shpalosi para të pranishmëve pozicionin e Kosovës dhe gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të ushtruar kompetencat në fushën e gjyqësorit. Në anën tjetër Dean njoftoi Ministrin Kuçi se Bashkimi Evropian është i interesuar për të ndihmuar forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë përmes misionit të BE-së dhe formave të tjera përderisa këto të konsiderohen të domosdoshme”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Ndërkohë, zyrtarë të misionit EULEX, lidhur me vazhdimin e mandatit të këtij misioni u referohen konkluzioneve të Këshillit të BE-së për Zgjerim dhe për Procesin e Stabilizim Asocimit të 15 dhjetorit 2015, ku thuhet se “Kosova duhet të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë dhe në mënyrë efektive me misionin EULEX".

“Për momentin shtetet anëtare të BE-së janë duke bërë rishikimin strategjik të mandatit të EULEX-it. Në pajtim me Konkluzionet e Këshillit të BE-së për Zgjerim dhe për Procesin e Stabilizim e Asocimit të 15 dhjetorit 2015 Kosova duhet të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë dhe në mënyrë efektive me EULEX-in dhe do të kontribuojë në mënyrë aktive që EULEX-i të përmbushë plotësisht dhe në mënyrë të papenguar mandatin e vet, duke përfshirë mandatin e rishikuar pas qershorit 2016” , tha një zëdhënëse e EULEX-it Dragana Nikoliq.

Mirëpo është vetë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili pranon që institucionet e Kosovës nuk kanë arritur siç thotë “t'i menaxhojnë disa situata në mënyrë që të japin argumente se EULEX-i duhet të largohet nga Kosova".

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa
Kryeministri i Kosovës, Isa MustafaFotografi: Getty Images/AFP/O. Andersen

“Kur kemi zgjatur mandatin e EULEX- it para dy vjetëve kemi qenë të bindur se EULEX- i tani duhet të largohet. Tani për tani mund të them se disponimi i Bashkimi Evropian dhe SHBA-së është që EULEX duhet të qëndrojë edhe më tutje në Kosovë. Tani është duke u zhvilluar debat ose dialog me Bashkimin Evropian, ku janë të kyçura edhe SHBA në formën që ata e shohin të arsyeshme që të kyçen, në mënyrë që të flitet për mandatin e ardhshëm të EULEX-it dhe cila do të jetë përgjegjësia në të ardhmen e këtij misioni. Kjo do të thotë, një pjesë është e lidhur me Gjykatën Kushtetuese dhe një pjesë është e lidhur me Gjykatën Speciale”, thotë kryeministri Isa Mustafa.

Kryeministri thotë se në bisedime me BE-në qeveria po mundohet që sa më shumë kompetenca, ose pjesa dërmuese e kompetencave të kalojë te organet vendore të drejtësisë.

“Mirëpo pa marrë parasysh dëshirën tonë, sepse dëshira ime do të ishte që ne që nga qershori i këtij viti t'i bartim të gjitha kompetencat që ka EULEX-i në organet vendore, situata flet që ata do të vazhdojnë të mbeten edhe më tutje, sepse nuk kemi arritur t'i menaxhojmë disa situata në mënyrë që të japim argumente se EULEX-i duhet të shkojë”, shkruan në profilin e tij në facebook Kryeministri Isa Mustafa.

Domosdoshmëri për të qendruar nga paaftësia e autoriteteve

Njohës të çështjeve të drejtësisë nga ana e tyre, thonë se paaftësia e institucioneve kosovare të drejtësisë që ta kryejnë punën si duhet, ka shfaqur domosdoshmërinë që mision EULEX të qëndrojë edhe më tutje në Kosovë.

Dren Ajeti, nga Grupi Për Studime Politike dhe Juridike, i tha DW-së, se organet kosovare të drejtësisë nuk kanë dëshmuar se mund të merren me raste të ndjeshme.

“Misioni Evropian për rend dhe ligj EULEX sipas gjitha gjasave do të vazhdojë mandatin e tij edhe pas 16 Qershorit. Kjo për faktin se aktualisht shihet se institucionet e drejtësisë së Kosovës janë të paafta të merren me raste më të mëdha të krimit, sic janë ato të korrupsionit, krimit të organizuar dhe krimet e luftës. Së fundmi EULEX në bashkëpunim me policinë e Kosovës bëri disa arrestime, ku në pranga përfunduan dhjetëra persona të akuzuar për korrupsion, larje parash, uzurpim të pronave publike. Në mesin e tyre qenë edhe zyrtarë të lartë shtetërorë. Arrestimi i këtyre personave vetëm disa javë para përfundimit të mandatit të këtij misioni, dëshmon se EULEX nuk është duke u përgatitur të largohet nga Kosova, por do ta vazhdojë misionin”, thotë Dren Ajeti.

Dren Ajeti i referohet një raporti i BE-së për EULEX-in, i përgatitur nga Jean Paul Jacqué, ku thuhet se “sistemi kosovar i drejtësisë është i paaftë të ballafaqohet me korrupsionin dhe krimin e organizuar”.

“Ky raport, që sipas gjitha gjasave do t`i shërbejë qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian si udhërrëfyes për të vendosur për të ardhmen e EULEX-it, parasheh se në rast se EULEX-it i vazhdohet mandati, atëherë ai duhet të përcjellët me reforma, ngase qëndrimi në Kosovë me efikasitetin e deritanishëm, do të ishte i kotë. Kjo do të ndodhë sigurisht me ristrukturimin e brendshëm të këtij misioni dhe ndoshta me dhënien e kompetencave shtesë për ta ushtruar më me efikasitet këtë mision”, thotë Dren Ajeti

Njohësi i çështjeve të drejtësisë Dren Ajeti, nga Grupi Për Studime Politike dhe Juridike, thotë se “ndonëse ky mision ka një hije të keqe në opinionin kosovar, prapë se prapë duhet të qëndrojë në Kosovë. “Por të qëndrojë vetëm pas një analize të thellë, se ku ka gabuar dhe që ato gabime t`i përmirësojë dhe të reformohet me synim të rritjes maksimale të efikasitetit në rrugën drejt krijimit të një shteti ligjor”, thotë Dren Ajeti.

Misioni i Bashkimit Evropian EULEX u vendos në Kosovë në dhjetor të vitit 2008, vetëm disa muaj pasi Kosova shpalli pavarësinë e saj. Baza ligjore për funksionimin e këtij Misioni është përcaktuar nga Këshilli i BE-së, me anë të veprimit të përbashkët të Bashkimit Evropian 2008/124/CFSP e arritur më 4 shkurt 2008. Në bazë të kësaj, EULEX-i funksionon në kuadër të kornizës së përgjithshme të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. EULEX-i është krijuar me synimin e përgjithshëm që t'i ndihmojë institucionet, organet gjyqësore dhe agjencitë për zbatimin e ligjit të Kosovës në zhvillimin e drejtësisë efektive të bazuar në sundimin e ligjit dhe të lirë nga ndikimet politike. Ky Mision është misioni më i madh civil i themeluar në kuadër të Politikave të Përbashkëta për Siguri dhe Mbrojtje të Bashkimit Evropian. Që nga fillimi misioni EULEX ka marrë vetëm 47 vendime për raste të korrupsionit. Kjo i bie gjashtë raste në vit, që është një numër shumë i vogël. Sipas analistëve, në rastin më të mirë kjo mund të interpretohet si dalje huq në lidhje me objektivat e planifikuara.