A do të ekstradohet Perkoviq në Gjermani?
10 Janar 2014Vendimi i Gjykatës në Zagreb të mërkurën (08.01.2014) që t'i jepet drita jeshile ekstradimit të Josip Perkoviqit në Gjermani, u pranua relativisht qetë në Kroaci. As Qeveria dhe as zyra e Presidentit nuk duan ta komentojnë këtë vendim, sikur dhe Partia Socialdemokrate e kryeministrit Zoran Millanoviq dhe partia më e madhe opozitare HDZ.
Këtë vendim nuk ka dashur të mërkurën ta komentojë as BE-ja. Ndërkohë që vet Komisioni Evropian ka bërë në vjeshtën e kaluar presion ndaj Kroacisë që t'i respektojë kërkesat e Gjermanisë për ekstradimin e Josip Perkoviqit të akuzuar për vrasje në Gjermani. Në mënyrë indirekte është kërcënur madje edhe me sanksione, në qoftë se Qeveria kroate nuk lëshon pe.
Vrasja e Gjurekoviqit
Gjermania e fajëson ish shefin e shërbimit sekret kroat për bashkëveprim në vrasjen e disidentit kroat Stjepan Gjurekoviq, në vitin 1983 në Volfratshauzen të Bavarisë. Në atë kohë, Perkoviq ishte një oficer i lartë i Sigurimit Shtetëror Jugosllav, (UDBA). Policia serkete e ish regjimit komunist ka ndjekur tërë kohën të ashtuquajturit armiq të Jugosllavisë dhe emigrantët politikisht aktivë. Prokuroria federale gjermane në Karlsruhe ka kërkuar në vitin 2009 ekstradimin e Perkoviqit në Gjermani, ku ai akuzohet për këtë vrasje. Kjo nuk ka ndodhur deri tani dhe Perkoviq jeton në zonën Nobel në Zagreb. Shumë vëzhgues të jashtëm pyesin: pse Kroacia po i mbron personat e akuzuar për krime?
Një shpejgim të mundshëm jep gazetari investigues Zheljko Peratoviq. Ai beson se Perkoviqi mund të bëj publike të dhëna të pakëndshme sekrete për politikanët kroatë dhe aksionet sekrete, në qoftë se del para gjykatave në Gjermani. Besohet se ai ka pasur raporte të ngushta me ish Presidentin e Kroacisë Franjo Tuxhman. Pas shpalljes së pavarësisë së Kroacisë në vitin 1991, pikërisht Perkoviqi ishte ai i cili u ngarkua me krijimin e shërbimit për sigurimin e shtetit. Ai edhe sot ka lidhje të mira me politikanë të lartë, pohon Peratoviq.
Instancat e tjera
Vendimi i gjakatës në Zagreb nuk është fjala e fundit juridike në rastin Perkoviq. Avokati i tij Anto Nobilo ka bërë të ditur se do do të ankohet në Gjykatën e Lartë, e cili duhet të marr një vendim brenda tre ditësh. Nëse edhe instanca e fundit juridike e Kroacisë vendosë për ekstradimin e tij, Nobilo tha se ata do të ankohen edhe pranë Gjykatës Kushtetuese.
Avokati i Perkoviqit pohon se klienti i tij nuk guxon të ekstradohet fare në Gjermani. Argumentet e tij: rasti për të cilin ai fajësohet në Gjermani është vjetruar kaherë sipas ligjeve kroate. Nobilo pohon se klienti i tij në Gjermani "nuk do të ketë një proces të drejtë".
Në bisedë me Deutsche Wellen Nobilo thotë: "Personalisht e vlerësoj shumë drejtësinë në Gjermani. Por ajo që ka ndodhur në procesin kundër Krunoslav Prates, nuk mund të quhet proces i ndershëm." Në këtë proces, i cili në Gjykatën e Lartë në Mynih ka zgjatur prej vitit 2006 deri 2008, emigranti kroat Krunoslav Prates është dënuar për bashkëveprim në vrasjen e Stjepan Gjurekoviqit me burg të përjetshëm. Josip Perkoviq është quajtur në këtë vendim si organizator i vrasjes.
Nobilo dyshon edhe për shkak të dëshmitarit kryesor, sepse Vinko Sindiçiq ka qenë agjent i UDBA. Ai është dënuar nga një gjykatë në Britani të Madhe për shkak të tentativës për vrasje të një disidenti tjetër kroat dhe për këtë ka vuajtur dënimit prej shtatë vjet heqje lirie. Një dëshmitar tjetër është edhe Bozhe Vukushiq, i cili në Gjermani është akuzuar për shkak të nxitjes për vrasje me shtatë vjet heqje lirie. Gjykatësi në procesin kundër Prates, Bernd von Heintschel-Heinegg, thotë në bisedë me DW se "Sindiçiq ka qenë një dëshmitar i rëndësishëm" dhe se "ai është i bindur në vërtetësinë e pohimeve të tija".
Mediat në Kroaci pohojnë se këtu bëhet fjalë për më shumë se vetëm një rast juridik. Kështu pohon edhe Perkoviq me shpjegimin se autoritetet gjermane janë të interesuara për kohën e luftërave në ish - Jugosllavi, në veçanti për transportet e armëve në kohën e embargos. Perkoviq thotë se ky shkak mjafton që ai të mos dorëzohet në duart e drejtësisë gjermane, sepse kjo do të ishte kundër interesave të Kroacisë.
Procesi megjithatë në Kroaci?
Gjykata e Lartë mund të vendosë kundër gjykatës në Zagreb. Edhe në raste të tjera Gjykata e Lartë kroate ka vendosur kundër ekstradimit të shtetasve kroatë në vendet e tjera. Qeveria kroate është e interesuar që këto procese të organizohen në vend, të paktën kështu e interpreton opinioni kroat, vendimin e fundit për reforma juridike, sipas së cilave ndryshohet koha e vjetrimit të rasteve.
Edhe gjykatësi gjerman Bernd von Heintschel-Heinegg, beson që autoritetet kroate janë të interesuara që proceset e këtilla të mbahen në Kroaci. Një mundësi tjetër, sipas Heintschel-Heinegg do të ishte që procesi të mbahet në Gjermani, ndërsa dënimin ta vuajë në Kroaci.