Shefi i shtabit të ushtrisë amerikane s'përjashton sulmin tokësor kundër IS
17 Shtator 2014Shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë amerikane Martin Dempsey tha në një seancë në komisionin e Forcave të Armatosura të senatit, se ai do t'i rekomandonte presidentit Barack Obama në rrethana të caktuar "ndërhyrjen me trupa ushtarake amerikane nga toka". Kjo bëhet, nëse dështon strategjia për të ndihmuar forcat irakiane, për të patur sukses me anë të sulmeve nga ajri, apo të informacioneve të shërbimeve sekrete. Momentalisht një operacion me trupa luftarake nuk është i nevojshëm, theksoi Dempsey.
Detyra e ushtarëve amerikanë në Irak është vetëm që t'u ndihmojë irakianëve në koordinimin e logjistikës në luftë kundër "Shtetit islamik", shpjegoi Dempsey. "Nëse ne arrijmë në një pikë, që unë besoj, se këshilltarët tanë duhet të mbështesin trupat irakiane në sulmet kundër caqeve specifike të IS, atëherë unë këtë do t'ia rekomandoja presidentit."
"Skenar thjesht hipotetik"
Nuk është e sigurtë se Obama do ta ndjekë një rekomandim të tillë. Ai është shprehur disa herë kategorikisht kundër një operacioni të ri me forca tokësore amerikane në Irak. Deklaratat e Dempsey Shtëpia e Bardhë i quajti "skenar thjesht hipotetik". Dempsey i është referuar vetëm "rekomandimeve taktike" të mundshme për Obamën në një "situatë të ardhshme", tha zëdhënësi i Obamës Josh Earnest. Është normale, që ushtria bën plane për eventualitete të ndryshme.
Earnest theksoi edhe një herë qëndrimin e Obamës: "Presidenti nuk beson se është në interesin më të mirë të sigurisë sonë kombëtare, që të dërgojë trupa tokësore amerikane për të luftuar në Irak dhe Siri. Kjo politikë nuk ka ndryshuar."
Milicët terroristë sunitë të IS kontrollojnë në veri dhe perëndim të Irakut territore të pamata. Edhe në vendin fqinj Siri ata sundojnë rajone të tëra. Në të dy vendet ata veprojnë brutalisht ndaj kundërshtarëve dhe njerëzve të besimeve të tjera. Për luftëtarë e IS sipas vlerësimeve të shërbimit të fshehtë amerikan luftojnë nga 20.000 deri 31.500 vetë. Obama do ta shkatëroojë këtë organizatë.
Forcat ajrore amerikane bombardojnë caqe në Irak
Hë për hë SHBA vazhdojnë të kufizohen në sulmet nga ajri. Në mbështetje të trupave irakiane avionët lutarakë bombarduan për herë të parë luftëtarët e IS në jugperëndim të kryeqytetit Bagdad. Deri tani SHBA kanë sulmuar ekstremistët vetëm në veri të vendit. Që nga fillimi gushtit SHBA, sipas të dhënave të Pentagonit, kanë kryer më shumë se 160 sulme nga ajri në rajon. Javën e kaluar Obama, bëri të ditur zgjerimin e sulmeve ajrorenë Siri, por ushtria nuk i ka zbatur ato akoma.
Sulmet në territorin sirian do të kryhen kundër zonave, që shërbejnë për tërheqjene xhihadistëve, tha ministri i Mbrojtes Chuck Hagel në seancën në senat. Forcat ajrore amerikane do të marrin në shënjestër "qendra të komandove, mundësitë logjistike dhe infrastrukturën". Dempsey bëri të qartë para senatorëve, se nuk janë planifikuar bombardime në shkallë të gjërë. Operacioni nuk do t'i ngjajë ofensivës ajrore "Shock and Awe" në fillim të luftës në Irak në pranverë 2003, meqë IS ka një strukturë krejt tjetër organizative.
Iraku vazhdon të jetë pa ministër të mbrojtjes
Në Irakun e veriut njësitë kurde sipas të dhënave të veta kanë dëbuar luftëtarët e IS nga disa fshatra të krishtera. Ky është një hap i rëndësishëm strategjik për të çliruar rajone të tjera, citoi faqja e lajmeve në internet Al-Sumaria News një zyrtar kurd. Sipas këtij njoftimi vendbanimet ndodhen në verilindje të qytetit milionësh të Mosulit që kontrollohet nga ekstremistët.
Ndërkohë, qeveria irakiane vazhdon të punojë pa ministër të Mbrojtjes dhe pa ministër të Brendshëm. Parlamenti në Bagdad i refuzoi kandidatët e kryeministrit Haidar al-Abadi për këto poste. Al-Abadi bëri të ditur, se ai do të propozojë se bashku me fraksionet politike kandidatë të rinj për dy ministritë kryesore. Seanca e ardhshme parlamentare që do të mbahet të enjten.