Rreziku nga dhuna e aktivistëve të majtë?
17 Janar 2014Dritare të thyera, kosha mbeturinash të djegur dhe njolla boje në muret e zyrave qendrore të Partisë Social Demokrate gjermane. Këto ishin pasojat e protestës së autonomistëve të cilët protestuan në Frankfurt. Rreth 150 aktivistë të majtë protestuan edhe në Berlin, por atje protesta ishte paqësore.
Madje edhe në landin e Baden-Württembergut, që është i njohur për qytetarinë e tij, autonomistët kanë filluar të ngrenë zërin duke shkruajtur fraza solidarizimi në muret e universiteteve dhe urave në qendër të Shtutgartit. Shprehje të tilla solidarizimi mund të shihen me shqetësim në Gjermani, pasi po shihet një kohezion me akivistët radikalë të majtë, të cilët po mbështësin autonomistët në Hamburg.
Nuk ka shenja për një valë terrori të radikalëve të majtë
Pas protestave të dhunshme kundër prishjes së një qendre kulturore të aktivistëve të majtë më 21 dhjetor, ku u plagosën qindra protestues dhe policë, policia shpalli disa zona në Hamburg si të rrezikshme dhe i dha të drejtë vetës për të ndaluar dhe kontrolluar njerëzit.
"Nëse ndodhin veprime të tilla të dhunshme, është normale që të shpallet zonë e rrezikshme dhe të bëhet gjithëçka për të vendosur kontrollin e shtetit", thotë Torsten Voss nga Shërbimet Inteligjente në Hamburg. Operacioni përfundoi të hënën (13.12.2014).
Ajo që ka mbetur janë vetëm imazhe të aktivistëve të majtë të cilët janë gati të përdorin dhunën dhe të mobilizohen në rang kombëtar. Wolfgang Bosbach, politikan i Kristian Demokratëve (CDU), krahasoi incidentet në Hamburg me terrorin e organizatës Fraksioni i Ushtrisë së Kuqe (RAF), pjestarë të së cilës dhunuan dhe vranë njerëz në vitet 70' .
"Fatmirësisht ne jemi ende larg nga terrorizmi i RAF. Ne duhet të jemi të kujdesshëm të mos lejojmë të ndodhë një gjë e tillë ", tha Bosbach në një intervistë për gazetën Frankfurter Rundschau.
Numri i autonomistëve mbetet i njëjtë
Voss shpreh një këndvështrim të tijin për sulmet e aktivistëve të majtë kundër policisë. "Autonomistët nuk i shohin policët me uniformë dhe të armatosur si njerëz, por si sende. Prandaj ata janë të gatshëm të përdorin dhunë", thotë ai për DW.
Pamjet e fundit të dhunës kanë qenë më brutalet që pas protestave në lagjen Hafenstrassein Hamburg St. Pauli 26 vjet më parë. Por nuk ka asnjë shenjë se vala e krimit do të rritet sipas Voss. Sjellja e radikalëve të majtë ka ndryshuar vitet e funidt argumenton Voss. "Më përpara ata ushtronin dhunë ndaj njerëzve të thjeshtë", thotë ai.
Që prej vitit 1980 kur u qëlluan dy policë gjatë një proteste kundër ndërtimit të një autostrade, ka patur konsensus që protestat të mos jenë të dhunshme. Sipas Voss ata bëhen të dhunshëm vetëm kur kanë përballë neo nazistët. Numri i radikalëve të majtë ka mbetur po i njëjti, thekson ai. Gjermania ka rreth 7000 aktivistë të majtë radikalë të gatshëm për të përdorur forcën dhe 620 prej tyre jetojnë në Hamburg.