1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

9 nëntori - nata e pogromit nazist kundër hebrenjve

10 Nëntor 2011

Përndjekja e hebrenjve në Gjermani në vitin 1938 avancon në mënyrë sistematike. Një atentat në Paris u shërben nacionalsocialistëve si pretekst për sulme të përgjakshme në të gjithë vendin.

https://p.dw.com/p/1383A
Rostock - përkujtim i natës së pogromit
Rostock - përkujtim i natës së pogromitFotografi: dpa

Në mbrëmjen e 9 nëntorit 1938, nacionalsocialistët depërtojnë në shtëpinë e prindërve të Ernst Cramerit. Ata shkatërrojnë violonçelin e të atit dhe koleksionin e porcelanit të së ëmës. Atë vetë e arrestojnë në afërsi të Bratislavës, e internojnë në Kampin e Përqendrimit të Buchenwaldit dhe e mbajnë për gjashtë javë atje. Shpejt pas kësaj, Crameri arratiset në SHBA, të vëllanë dhe prindërit ia vrasin më vonë nacionalsocialistët.

Fati i Cramerit është vetëm njëri prej shumë fateve të hebrenjve këtë natë prej 9 deri 10 nëntorit. Në këtë datë u përfshinë nga flakët qindra sinagoga, dyqane hebreje dhe banesa në të gjithë Gjermaninë. Hebrenjtë i rrahën para syve të fqinjve të tyre jo hebrenj, i poshtëruan, i vranë dhe i bënë të vrisnin veten. Thuajse asnjë dorë nuk u ngrit për t'i mbrojtur.

Atentati në Paris si pretekst

Nacionalsocialistëve u shërbeu si pretekst një atentat i një të riu hebre polak në Paris. 17 vjeçari hap zjarr në 7 nëntor në Ambasadën Gjermane kundër një diplomati, i cili pak më vonë vdes. Në Gjermani pas kësaj vihet në lëvizje makina propagandistike. Pjesëtarë të veshure me rroba civile të SA (Trupat e Sulmit - organizatë paraushtarake e partisë naziste NSDAP ) dhe SS (Njësitë e Mbrojtjes) nisin në të njëjtën ditë të sulmojnë hebrenjtë dhe dyqanet dhe sinagogat e tyre. Në darkën e 9 nëntorit, ministri i propagandës së Rajhut, Josef Goebbels u njofton drejtuesve të partisë dhe të SA lajmin e atentatit. Vdekjen e diplomatit ai e paraqet si pjesë të "komplotit të përbotshëm hebre". Pas kësaj ai dërgon telegrame, në të cilat urdhëron që të gjitha dyqanet hebreje të shkatërrohen menjëherë nga anëtarë të SA të veshur me uniforma. Pas shkatërrimeve dhe sulmeve, në ditët në vazhdim vriten 30.000 hebrenj në kampet e përqendrimit, qindra prej tyre vriten ose vdesin nga pasojat e arrestit.

Pak vite më vonë, qindra mijëra hebrenj nga e gjithë Evropa vriten në kampet e përqendrimit dhe të asgjësimit. Nata e pogromit ishte premiera e tmerrshme për këtë. Ajo shënon kalimin nga diskriminimi i gjithëpranishëm i hebrenjve në Gjermani në një përndjekje sistematike.

Ditë e kujtimit

Që prej vitit 1978, 9 nëntori është një datë fikse, për të kujtuar në të gjithë Republikën federale ngjarjet e vitit 1938, për shembull me marshime në heshtje kundër neonazizmit. Nata e pogromit kundër hebrenjve ka një vend të sajin në kulturën komunale dhe rajonale të kujtesës. Veçanërisht në qytetet, ku deri në vitin 1938 ka pasur sinagoga, çdp vit zhvillohen ceremoni përkujtimore për viktimat e pogromeve.

Ernst Crameri u kthye pas luftës në Gjermani dhe u bë një publicist i suksesshëm. Deri kur vdiq vitin e kaluar ai mori pjesë në shumë aktivitete përkujtimore për natën e pogromit të Rajhut. Nëse rënia e Murit të Berlinit më 9 nëntor 1989 ka qenë dita më e shkëlqyer e historisë gjermane, tha ai në 2009 në Berlin, atëherë 9 nëntori 1938 është dita më e errët dhe që ia vlen të përçmohet më shumë.

Autor: Klaus Jansen/ Auron Dodi

Redaktoi: Elert Ajazaj