8 Marsi - Portrete nënash shqiptare - Të zakonshmet e pazakonta!
Punëtore, fjalëpaka, të duruara, oksigjeni i familjes shqiptare. Lajtmotivi i jetës së tyre: Sakrifikimi për fëmijët! Kujtimi më i bukur? Të gjitha dhanë gati të njëjtën përgjigje! (Seri e vitit 2017)
Nënë Gjystina
Nënë Gjystina nga Shkodra, 65 vjeҫ, 40 vite punë si ekonomiste, ka rritur e ҫuar në shkollë të lartë katër fëmijë. Gruaja shqiptare ka vuajtur shumë për të rritur fëmijët, sot në demokraci nënat e kanë më të lehtë, thotë ajo. Kujtimi më i bukur i jetës? Lindja e djalit pas tre vajzash, asokohe nuk dallohej gjinia që në bark si sot, kujton Gjystina.
Nënë Bukurija
Nënë Bukurija nga Burreli, 67 vjeҫ ka rritur 10 fëmijë. Ngritjen në tre të natës për korrjen e grurit në kooperativë, ajo e kujton si vështirësinë më të madhe në vitet e rinisë. Sot jeton nga kopshti i saj. „I kam të miat, sallatën, domatet, qepën“. Gëzimi më i madh për të, lindja e djalit të parë. Frika se mbeteshim pa djalë ishte shumë e madhe për ne femrat, kujton ajo.
Nënë Tusha
Nënë Tusha nga Burreli, 82 vjeҫ ankohet se sot nuk ka më dashuri. Atëherë vërtet ne nuk kishim bukë, por e ndanim edhe atë ҫikë me njëri-tjetrin. Ajo kohë më pëlqente më shumë, thotë ajo. Gëzimi më i madh ishte kur linda ҫunin, gëzimi i dytë më i madh, kur lindi ҫuni i ҫunit.
Nënë Hurmaja
Nënë Hurmaja 73 vjeҫ, pensioniste nga Tirana ka rritur 6 fëmijë, sot rrit nipërit e mbesat. Megjithëse njërën këmbë e tërheq zvarrë, ajo ngrihet të gatuajë gjellën, të pastrojë shtëpinë. „Askush nuk na detyron, por femrat e kohës sonë, sikur e kanë në gjak të shërbejnë“, thotë ajo. Gëzimi më i madh, lindja e djalit, kujton ajo.
Flutura nga Tirana
Flutura, 47 vjeҫ, edukatore, rrit katër fëmijë në Tiranë. "Gjëja më e vështirë për t’u duruar qenka papunësia, gjithë jetën kam punuar, tani nuk firmos askund, të duket vetja parazit“, ankohet ajo. Gëzimi më i madh, kujton Flutura, ishte kur më pranoi babi në shtëpi, pasi u martova pa dasëm.
Nënë Mara
Nënë Mara nga Laҫi, 69 vjeҫ me 3 fëmijë, "gjithë jetën punova në ndërtim, lodhesha shumë, punë jashtë, punë në shtëpi", rrëfen ajo. Tani kanë ardhur kohë të bukura, veҫ të kemi jetë të jetojmë, shpreson nënë Mara. Për të rritur sadopak pensionin ajo shet përditë fara luledielli në një nga rrugicat e Laҫit.
Nënë Fahrija
Nënë Fahrija, 65 vjeҫ, nga Tirana, dikur faturiste, sot në pension. Ka rritur 8 fëmijë, një grua e fortë që thotë se ankimi të lidh duart. Sot "laj, gatuaj, dua të rris nipërit e mbesat", thotë ajo. Gëzimi më i madh për mua ka kohë, ishte lindja e djalit pas 7 vajzash, tani lumturohem të shoh si rriten nga pak mjalti i mjaltit, fëmijët e fëmijëve, thotë ajo.