1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Marrëveshja Élysée: Baza e miqësisë gjermano-franceze

22 Janar 2023

Gjermani-Francë: 18 vjet pas fundit të Luftës së Dytë Botërore të dyja vendet ish-armiq të betuar u zotuan përmes Marrëveshjes Élysée për miqësinë dhe bashkëpunimin gjithpërfshirës politik.

https://p.dw.com/p/4MWfi
Konrad Adenauer dhe Charles de Gaulle pas nënshkrimit në Paris të Marrëveshjes Élysée më 22 janar 1963
Konrad Adenauer dhe Charles de Gaulle pas nënshkrimit në Paris të Marrëveshjes Élysée më 22 janar 1963Fotografi: ZUMA/Keystone/IMAGO

Me rastin e 60 vjetorit të Marrëveshjes së Élysée-së zhvillohet një akt festiv dhe një seancë e përbashkët pune e parlamenteve të të dy vendeve, Bundestagut gjerman dhe Asamblesë Kombëtare (Assemblée nationale) të Francës.

Marrëveshja e Élysée-së duhej të hynte si guri i themelit në historinë e marrëdhënieve gjermano-franceze: Pothuajse 18 vjet pas fundit të Luftës së Dytë Botërore të dy vendet ish-armiq të betuar u zotuan për miqësinë dhe bashkëpunimin gjithpërfshirës politik. Kësisoj kjo marrëveshje vulosi partneritetin midis dy vendeve, që kishin luftuar në rrjedhën e shekujve mes njeri-tjetrit.

Nënshkrimi në Paris i Marrëveshjes Élysée më 22 janar 1963 nga Konrad Adenauer dhe Charles de Gaulle
Nënshkrimi në Paris i Marrëveshjes Élysée më 22 janar 1963 nga Konrad Adenauer dhe Charles de GaulleFotografi: AP

Me rastin e jubileut të 60 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Élysée-së të dielën më 22 janar 2023 krerët e të dy shteteve do të takohen në Paris. Në zemrën e kryeqytetit francez do të mblidhen deputetët e të dy parlamenteve fillimisht në një festivitet solemn në Universitetin Sorbonne. Ceremonitë festive do të hapen në amfiteatrin e universitetit prestigjoz me fjalimet e presidentes së Assemblée nationale, Yaël Braun-Pivet, dhe presidentes së Bundestagut Bärbel Bas. Edhe kancelari Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron do të mbajnë një fjalim në këtë ceremoni.

Seanca e përbashkët e punës mes dy parlamenteve do të zhvillohet pasdite në sallën plenare të Asamblesë Kombëtare franceze në Pallatin Bourbon.

Nënshkrimi në Ahen i Marrëveshjes gjermano-franceze të Miqësisë më 22 janar 2019 nga Angela Merkel dhe Manuel Macron
Nënshkrimi në Ahen i Marrëveshjes gjermano-franceze të Miqësisë më 22 janar 2019 nga Angela Merkel dhe Manuel MacronFotografi: Christoph Hardt/Geisler-Fotopress/picture alliance

Mbledhja e parë e përbashkët e parlamenteve

Për herë të parë deputetët e Bundestagut dhe Asamblesë Kombëtare janë mbledhur në vitin 2003 në një seancë të përbashkët në Versajë - me rastin e 40 vjetorit të Marrëeshjes Élysée. Dhjetë vjet më vonë, në jubileun e 50 vjetorit, deputetët francezë dhe gjermanë  u mblodhën në Berlin.

Në vitin 2019 kancelarja Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron nënshkruan në sallën e kurorëzimit në Bashkinë e Ahenit një Marrëveshje të re gjermano-franceze të Miqësisë: të ashtuquajturën Marrëveshja e Ahenit. Me këtë Gjermania dhe Franca ranë dakord që t'u bëjnë ballë bashkarisht sfidave të së ardhmes.