50 vjet nga masakra në Lojërat Olimpike të Mynihut 1972
26 Gusht 2022Si ndodhi masakra 50 vjet më parë? Gjermani - Lojërat Olimpike të vitit 1972. Por ethet olimpike dhe atmosfera e gëzuar morën fund papritmas. Më 5 Shtator 1972 terroristë arabë të armatosur rëndë depërtuan në kabinat e ekipit olimpik izraelit. Grupi terrorist palestinez mori peng njëmbëdhjetë atletë të ekipit izraelit.
Dy prej 11 pengjeve u vranë në momentin e marrjes peng. Grupi terrorist quhet "Shtatori i zi" dhe kërkon lirimin e mbi 200 të burgosurve në burgjet izraelite, një kërkesë që qeveria izraelite nuk mund dhe nuk do ta plotësojë. Ish-ministri i Jashtëm Hans Dietrich Genscher u përpoq të ndërmjetësonte, duke u ofruar edhe vetë si peng, por pa sukses.
Pas kësaj pasoi një luftë nervash, ultimatume, refuzime, ultimatume. Në orën 17:00 mori fund edhe ultimatumi i fundit. Në prapaskenë zhvillohen diskutime të ashpra se kush e mban përgjegjësinë dhe cila instancë duhet të japë urdhëra qeveria federale apo landi i Bavarisë. Askush nuk qe i përgatitur për një sulm të tillë. Në fund qeveria gjermane tregohet gjoja e gatshme të plotësojë kërkesën e terroristëve dhe t'i lejojë të shkojnë me avion bashkë me pengjet në Egjipt. Në orën 22:20 pengmarrësit së bashku me pengjet ngjiten në helikopterin që do t'i çonte në aeroportin ushtarak Fürstenfeldbruck.
Operacioni për shpëtimin e pengjeve përfundoi në një dëdhtim. Më 6 shtator në orën tre të mëngjesit ministri i Brendshëm i Bavarisë Bruno Merk doli para shtypit dhe tha: "... ne nuk mundëm t'i qëllonim menjëherë të gjithë arabët dhe ata që ishin në gjendje të përdornin armët, hapën zjarr dhe qëlluan me breshëri duke vrarë të gjithë pengjet dhe një polic të Mynihut."
Gjermania u përfshi në zi. Pas orë pas sulmit terrorist në stadiumin olimpik u mblodhën për një ceremoni të përmortshme 80.000 vetë. Gjithësesi përpara kësaj ceremonie qe marrë vendimi që lojërat të mos ndërpriteshin.
"The games must go on!" - deklaroi presidenti i atëershëm i Komitetit Olimpik Avery Brundage. Por ky vendim nuk u pranua nga të gjithë. Një pjesë e sportistëve u larguan dhe nuk morën pjesë në gara.
Në qershor 2012 u hapën dosjet e Zyrës Federale për Mbrojtjen Kushtetuese. Ato tregojnë se terroristët palestinezë ishin mbështetur dhe ndihmuar për aktin e tyre terrorist nga persona të skenës neonaziste gjermane.