1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

40 vjet Solidarnosc: kur komunizmi mori fund

Monika Sieradzka
31 Gusht 2020

Dyzet vjet më parë u themelua në Poloni sindikata e pavarur Solidarnosc. Ajo hapi rrugën për kolapsin e komunizmit në Evropë. Por Polonia është e ndarë nëse Lech Walesa, udhëheqësi i saj, ishte hero apo tradhtar.

https://p.dw.com/p/3hp2K
Polen Solidarnosc | Lech Walesa Lenin Werft 1980
Fotografi: picture-alliance/dpa/L. Oy

Më 31 gusht 1980, elektricisti i kantiereve Lech Walesa, i cili përfaqësonte punëtorët grevistë polakë, u ul në një tryezë me zëvendëskryeministrin e Polonisë, Mieczyslaw Jagielski, për të nënshkruar një marrëveshje të përbashkët.

Koncesioni më i rëndësishëm i bërë nga qeveria pas grevave prej javësh në disa ndërmarrje polake ishte lejimi i formimit të një sindikate të lirë. Më 17 shtator, Solidarnosc (që do të thotë 'Solidaritet') u themelua zyrtarisht si sindikata e parë e pavarur pas Perdes së Hekurt.

Por në atë kohë, Walesa nuk e besonte vërtet premtimin e dhënë nga regjimi komunist. "Ata do ta shkatërrojnë; do të jenë të detyruar ta bëjnë, kjo është ajo që mendova atëherë," i tha ai DW në një intervistë. Ai ende i kishte të freskëta kujtimet e protestave të mëparshme antikomuniste në Poloni në vitet 1956, 1970 dhe 1976, të cilat përfunduan në përplasje të përgjakshme me policinë.

Miliona kundër komunistëve

Walesa kishte punuar si elektricist në Kantierin detar Lenin

(sot Kantieri Gdansk) në Gdansk që nga viti 1967. Kantieri ndërtonte anije për tregun ndërkombëtar dhe sillte sasi të konsiderueshme valutash të huaja në shtetin komunist. Grevat në kantierin detar filluan në mes të gushtit 1980, por në korrik kishte pasur edhe më parë protesta më të vogla në ndërmarrje në pjesë të tjera të Polonisë.

Një fotografi e Papës Gjon Pali II u shfaq në kantierin e anijeve Lenin gjatë grevave në gusht 1980
Një fotografi e Papës Gjon Pali II u shfaq në kantierin e anijeve Lenin gjatë grevave në gusht 1980Fotografi: Zygmunt Błażek/ Zbiory ECS

Papa Gjon Pali i lindur në Poloni shërbeu si një burim irëndësishëm frymëzimi kur, gjatë një meshe në Varshavë në vitin 1979, ai shqiptoi fjalinë "Mos ki frikë". Këto fjalë u bënë lajtmotiv për miliona polakë, të cilët qenë të zemëruar me mënyrën sesi pushtetarët komunistë të vendit u kishin siguruar privilegje vetes dhe e kishin lënë ekonominë të ecte drejt shkatërrimit gjatë 35 viteve të pushtetit të tyre. Brenda pak javësh, 10 milionë nga 35 milionë shtetas të Polonisë ishin bashkuar me lëvizjen Solidarnosc.

Fuqia e punëtoreve

"Ajo që e bëri të veçantë ishte se lëvizja drejtohej nga punëtorët. Kjo ia dha asaj impulsin dhe fuqinë," thotë historiani gjerman Peter Oliver Loew, drejtori i Institutit Gjerman të Polonisë në qytetin e Darmstadt-it.

Prof. Dr. Peter Oliver Loew, Direktor des Deutschen Polen-Instituts Darmstadt
Peter Oliver LoewFotografi: Grzegorz Litynski

"Kur dalin në rrugë disa intelektualë, kjo nuk kthehet në revolucion. Por kur hidhet në grevë një biznes, tek i cili shteti mbështetet për një pjesë e të ardhurave të tij, kjo e vë në dyshim një sistem komunist, që e legjitimon vetë duke pretenduar se përfaqëson proletariatin," thotë Loew, i cili sheh shumë paralele midis Solidarnosc dhe valës së tanishme të protestave në Bjellorusi.

Walesa ishte vazhdimisht i vetëdijshëm për rrezikun që protestat mund të shtypeshin përsëri në mënyrë brutale. "Duhet të jesh plotësisht i vendosur; përndryshe nuk mund t'i udhëheqësh të tjerët. Duhet të mendosh: Nuk ka më familje, as vdekje, as para. Unë e dija që ata mund të më vrisnin në çdo kohë. Por mendova: Ata mund të më vrasin, por jo të më mposhtin”, tha ai.

Lufta për liri

Disidenti i Gjermanisë Lindore Joachim Gauck, i cili më vonë u bë president në Gjermaninë e ribashkuar, reagoi ndaj ngjarjeve në Poloni "me entuziazëm dhe skepticizëm", thotë ai sot.

Ish-Presidenti i Gjermanisë, Joachim Gauck
Ish-Presidenti i Gjermanisë, Joachim GauckFotografi: picture-alliance/dpa/S. Stache

Ai i tha DW se njerëzit në ish-Gjermaninë Lindore komuniste kishin humbur çdo shpresë për ndryshim pas ngjarjeve të tilla si shtypja e protestës së 17 qershorit 1953 dhe ndërtimi i Murit të Berlinit, duke çuar në një ndjenjë pafuqie politike. Në të kundërt, tha ai, polakët kishin treguar për shekuj me radhë se ishin gati të luftonin për identitetin e tyre sa herë që ishte e mundur. Ai tregoi atë që kishte thënë dikur në një vizitë në Poloni se "gjuha e lirisë është polonishtja".

Kur u shemb Muri i Berlinit në nëntor 1989, Polonia tashmë kishte kryeministrin e saj të parë jo komunist. Kishte pasur bisedime në "tryezën e rrumbullakët" midis qeverisë dhe Solidarnosc-it në pranverën e vitit 1989 dhe zgjedhjet e para gjysmë-demokratike pas Perdes së Hekurt në Poloni u zhvilluan në qershor.

Çmimi i lartë i lirisë

Por ky rol udhëheqës në luftën kundër komunizmit erdhi me një çmim të lartë. Më 13 dhjetor 1981, ëndrra e lirisë që kishin pasur polakët një vit më parë u shkatërrua. Qeveria vendosi ligjin ushtarak, një gjendje që vazhdoi deri në vitin 1983 dhe kufizoi në mënyrë dramatike liritë civile. Rreth 10.000 disidentë u arrestuan dhe dhjetra u vranë. Solidarnosc-i u detyrua të kalonte në ilegalitet dhe nuk u lejua të regjistrohej përsëri deri në vitin 1989.

Situata në Poloni në atë kohë shkaktoi reagime shumë të ndryshme në shtetet perëndimore. Kancelari i atëhershëm gjerman, Helmut Schmidt i socialdemokratëve të qendrës së majtë (SPD), e pa ligjin ushtarak në vendin fqinj si një faktor stabilizues. Por SHBA dhe Britania e dënuan imponimin e tij. Opozita anti-komuniste në Poloni mori një nxitje nga Norvegjia në vitin 1983, kur Walesa, që ndodhej në burg në atë kohë, mori Çmimin Nobel për Paqen.

Trashëgimia e Solidarnosc-it

Lëvizja e demokracisë e lidhur me sindikatën e pavarur Solidarnosc tani është bërë një mit themelues i Polonisë së sotme. Kur kryeministri Mateusz Morawiecki thotë se "Polonia e sotme është rritur nga Solidarnosci", ai flet për të gjithë polakët, pavarësisht nga orientimi i tyre politik. Kjo për shkak se Solidarnosc-i mblodhi njerëz nga pjesë shumë të ndryshme të spektrit politik, nga e djathta në të majtë.

Dhe është pikërisht për shkak të kësaj, që ajo shpesh bëhet objekt grindjesj midis politikanëve të sotëm polakë. "Shumë njerëz kanë të drejtë ta shohin veten si duke vazhduar traditën e Solidarnosc, por ajo që shohim në Poloni për momentin është se përfaqësuesit e krahut të djathtë, qeveria e PiS (Ligji dhe Drejtësia), pretendojnë se janë vetëm ata të kualifikuar për të realizuar trashëgiminë e saj, "thotë Peter Oliver Loew.

Hero apo tradhtar?

Polen Solidarnosc | Lech Walesa 1980
Fotografi: Getty Images/Keystone

Në gati pesë vjetët që kur partia kombëtare-konservatore Ligji dhe Drejtësia është në pushtet, ata njerëz të Solidarnoscit që janë politikisht në përputhje me qeverinë, nderohen si heronj në ceremonitë zyrtare dhe ngjarjet kulturore. Walesa,i cili ishte presidenti i Polonisë nga 1990 deri në 1995, nuk është një prej tyre; ai shpesh ka kritikuar ashpër politikat antiberale të qeverisë së PiS.

Në tetor 1983 Walesa mori Çmimin Nobel për Paqen, para se të zgjidhej Presidenti i Polonisë në 1990

Walesa është një gjemb në mishin e PiS. Në mediat e afërta me qeverinë, ai është përshkruar më shumë si agjent i Shërbimit Komunist të Sigurisë, një polici sekrete dhe agjensi informative e ngjashme me Stasi-in e Gjermanisë Lindore dhe KGB-në Sovjetike.

Në vitin 2015, u gjetën dokumente që tregojnë për bashkëpunimin e tij me ish-policinë sekrete. Walesa thuhet se ishte shtyrë në këtë bashkëpunim në vitin 1970, kur e arrestuan me rreth 130 punëtorë të tjerë gjatë protestave antiqeveritare në Gdansk. Por në fund të viteve 1970, përpara se të bashkohej me lëvizjen e opozitës, kontaktet e tij me shërbimin sekret komunist ishin ndërprerë.

Debati a është hero apo tradhtar Walesa dhe nëse arritjet e tij të mëvonshme e eleminuan fajin e tij, e ndan ende Poloninë. Përkujtimet e këtij viti për themelimin e Solidarnosc-it do të përkulen nga mosmarrëveshja ashtu siç janë çdo vit.