3 Tetori - Dita e Bashkimit gjerman festohet në kohë krize
3 Tetor 2022Në kuadër të festimeve për Ditën e Bashkimit të Gjermanisë, 3 Tetor, që këtë vit kujtohet nën hijen e luftës në Ukrainë dhe krizës aktuale të energjisë dhe çmimeve në Gjermani, mjaft politikanë kanë bërë thirrje për ruajtjen e unitetit shoqëror në vend dhe mbrojtjen vendosmëri të lirisë dhe demokracisë.
Këtë 3 Tetor festimet zhvillohen në Erfurt me një ceremoni ku merr pjesë edhe presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier dhe kancelari, Olaf Scholz, presidentja e Bundestagut, Bärbel Bas, kryeministri i landit të Tyringjisë, Bodo Ramelow e politikanë të tjerë të nivelit të lartë e personalitete nga jeta publike. Tradicionalisht festimet qendrore për 3 Tetorin i zhvillon ai land gjerman, që mban edhe postin e presidentit të Dhomës së Landeve. Para ceremonisë qendrore përfaqësues të federatës dhe landeve zhvillojnë një meshë kishtare në Katedralen e Erfurtit. Kurse në një festë qytetare ku prezantohen të 16 landet gjermane janë të ftuar të gjithë qytetarët.
Të marrë fund ndarja e brendshme
"Bashkimi Gjerman është një dhuratë për ne të gjithë" është shprehur kryetarja e bashkisë së Berlinit, Franziska Giffey në përvjetorin e 32-të të bashkimit gjerman. "Pas fundit të Luftës së Ftohtë dhe rënies së Murit të Berlinit si një rast unik fatlum i historisë, vendi ynë, Europa dhe e gjithë bota u zhvillua për mirë." Këto arritje duhen mbrojtur, ka thënë Giffey. Kurse kreu i grupit parlamentar të CDU, Kai Wegner e quajti 3 Tetorin një ditë gëzimi për Gjermaninë. "Nga një qytet i ndarë është bërë një metropol dinamik dhe i hapur ndaj botës", tha Wegner. Ndarja e Berlinit ka marrë fund, tani duhet të përfundojë ndarja e brendshme, ka thënë kreu i grupit parlamentar të CDU, i cili ka kërkuar që "në krizën e çmimeve të energjisë duhet të qëndrojmë së bashku si popull". "Ne duhet ta mbrojmë së bashku mirëqenien që e kemi krijuar së bashku që nga Rënia e Murit dhe të ruajmë të ardhmen."
Krizën aktuale të energjisë kryeministrat e landeve lindore gjermane në ditën e bashkimit gjerman e shikojnë me rrezik për sukseset e arritura në rindërtimin e lindjes gjermane. Kryeministrat e landeve të Saksonisë-Anhalt, Rainer Haseloff, CDU, ai i Brandenburgut, Dietmar Woidke, SPD kanë kujtuar shqetësimet e shumë gjermanolindorëve para humbjes së asaj që është ngritur me mundim këto tre dekada dhe kanë bërë thirrje për ruajtjen e unitetit shoqëror ne Gjermani. §Shumë gjermanolindorë i kanë para sysh ndryshimet e mëdha strukturore të viteve 90-të që sollën papunësi të madhe. "Prandaj është e qartë që situata e tanishme shihet me shqetësim të madh, shumë vetë kanë frikë se do të humbasin gjithçka kanë ndërtuar këto tre dekada." Haseloff ka thënë se lufta në Ukrainë rrezikon edhe sukseset e arritura në lindjen gjermane.
la/ag