2017 - vit i dëbimeve nga Gjermania?
10 Shkurt 2017Për një "zbatim më të mirë të detyrimit të riatdhesimit", qeveria gjermane do të përgatisë së afërmi një projektligj pas takimit të enjten në mbrëmje (09.02) mes krerëve të landeve dhe kancelares Merkel. Mbajtja në vëzhgim do të zgjerohet me 10 ditë për ata azilkërkues të refuzuar që duhet të kthehen, për të penguar largimin e tyre në drejtim të paditur. Merkel theksoi, se Gjermania u ofron mbrojtje atyre që "kanë nevojë për ndihmë humanitare".
Në muajt në vijim pritet që Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët (BAMF) pritet të refuzojë "rregullisht një numër të madh" kërkesash për azil, të atyre personave, që nuk kanë nevojë për t'u marrë në mbrojtje në Gjermani, pra numri i atyre personave që duhet të largohen nga Gjermania në vitin 2017 do të rritet më tej. Një dokument - plan 16-pikësh i federatës ishte edhe baza e takimit të krerëve të landeve me kancelaren Angela Merkel të enjten në mbrëmje Qëllimi, sipas ministrit të Brendshëm, Thomas de Maziere është të arrihet "tek një përpjekje e përbashkët" për të përmirësuar politikën e kthimit të refugjatëve.
Pikat kryesore në dokument:
- Qendra grumbullimi për personat që duhen kthyer. Kush nuk ka shans për azil, do të vendoset në të ardhmen në një qendër të tillë grumbullimi. Parashikohet edhe një "Qendër për mbështetjen e rikthimit" - e cila do të ndihmojë për organizimin e dëbimeve në grup të refugjatëve, por edhe sigurimin e "dokumentacionit të nevojshëm në raste problematike". Dëbimet shpesh ngecin në vendet e origjinës, të cilat shpesh nuk i dërgojnë dokumentet e identifikimit ose i dërgojnë ato me vonesë.
- Krahas qendrave të grumbullimit pritet të krijohen edhe "Qendra federale dëbimi" - ku azilkërkuesit e refuzuar të mbahen në ditët e fundit para dëbimit të tyre.
-Personat që njihen si rrezikuesit, të huaj, të cilët rrezikojnë drejtpërdrejtë sigurinë do të dëbohen më shpejt. RRegulloret për këtë do të thjeshtohen.
-Krijimi i impulseve për kthimin vullnetar - personat e prekur marrin një ndihmë të caktuar, nëse vendosin të kthehen vullnetarisht, sa më shpejt që të largohen, aq më e madhe do të jetë kjo ndihmë. Federata do të vërë në dispozicon këtë vit 40 milionë euro dhe 50 milionë për programet e riintegrimit.
-Këshillime për kthimin - azilantët pa perspektivë qëndrimi, gjë që prek shumë azilkërkues nga vendet e Ballkanit, do të këshillohen për rregulloret e qëndrimit menjëherë në momentin që mbërrijnë në Gjermani.
Kritika për përshpejtimin e dëbimeve
Kritika të forta nga planet për dëbime më të shpejta vijnë nga landet e qeverisura nga koalicioni i socialdemokratëve, të majtëve dhe Të Gjelbrit. Kryetarja e partisë së Gjelbër, Simone Peter e cilësoi këtë zgjidhjen e gabuar, sepse kompetencat e landeve ngrihen në nivel federate, më mirë landet të punojnë të çojnë fëmijët në shkollë, tha Peter.
Edhe nga organizatat që ndihmojnë refugjatët vijnë kritika. Günter Burkhardt, nga organizata ProAsyl thotë se "kjo është problematike, sepse Zyra Federale, BAMF zhvillon procedurat e përshpejtuara duke injoruar standartet për këtë." Edhe sindikata e policisë, (GdP) është skeptike. "Duhet të jemi të kujdesshëm të mos sakrifikojmë vlerat dhe konceptin tontë për drejtësinë me aksionizëm, vetëm për të dëbuar disa javë më shpejt njerëzit pa perspektivë qëndrimi", thotë kreu i sja, Jörg Radek.