11 aleatë për taksën mbi transaksionet financiare
10 Tetor 201227 ministrat e financave të BE-së e patën refuzuar marsin e kaluar taksën mbi transaksionet financiare, në radhë të parë pasi Britania e Madhe dhe Suedia e kundërshtojnë këtë taksë. Ministri suedez i financave e argumentoi më këto fjalë qendrimin e vendit të tij: "Ne vazhdojmë të mendojmë se taksa mbi transaksionet financiare është diçka shumë e rrezikshme. Ajo do të dobësonte rritjen ekonomike."
Edhe grupi më i vogël prej 17 shtetesh që kanë euron si monedhë të përbashkët nuk arriti të binte në ujdi për futjen e një takse mbi transaksionet e tregjeve financiare. Këtu janë Holanda dhe Luksemburgu që e refuzojnë fort taksën. Ministri holandez i Financave Jan Kees de Jager, e refuzoi fuqishëm taksën mbi transaksionet financiare në takimin me homologët e tij në Luksemburg:"Kemi tre studime të pavarura të cilat arrijnë në përfundimin se një taksë mbi transaksionet financiare do të kishte pasoja katastrofale në Holandë. Për këtë arsye ne jemi kundër!"
Taksa mbi transaksionet mund të sillte miliarda
Komisioneri për politikën monetare dhe ekonominë, Olli Rehn, u shpreh i acaruar nga qendrimet e papajtueshme në BE: "Më vjen keq që nuk arritëm të marrim përgjigje pozitive, as në grupin G20 gati një vit më parë dhe as nga BE si një i tërë."
Finlandezi Rehn qysh para një viti ka paraqitur së bashku me kolegët e Komisionit të BE-së një projektligj për një taksë të njësuar mbi transaksionet financiare. Olli Rehn planifikon të taksojë me 0,1 për qind mbi xhiron tregtinë e letrave me vlerë dhe me 0,01 për qind tregtinë me derivate. Taksa e cila natyrisht refuzohet nga tregtarët e bursës, investuesit dhe hedgefonds, duhej të sillte rreth 57 miliardë euro në arkat e vendeve anëtare të BE-së. Për të penguar largimin e bizneseve nga eurozona, taksa do të aplikohet pavarësisht vendit ku kryhet transaksioni.
Gjermania dhe Franca e duan taksën
Qeveria socialiste në Francë futi qysh në verë një version të thjeshtuar të taksës. Edhe ministri konservator i Financave në Gjermani, Wolfgang Schäuble, prej gati një viti mbështet futjen e taksës. Liberalët partnerë në koalicionin qeverisës e refuzojnë atë, ndërsa opozita në parlamentin federal e kërkon.
Wolfgang Schäuble dhe homologu i tij francez Pierre Moscovici janë bashkuar tani me qëllim futjen e taksës të paktën në një pjesë të 17 vendeve të eurozonës. Ata mbështeten tek i ashququajturi "bashkëpunim i fuqizuar", që mundëson marrëveshje të BE-së kur për një temë të caktuar vendosin nëntë anëtarë.
Një grup 11 shtetesh do vazhdojë punën për futjen e taksës
Në Luksemburg u arrit që të fitoheshin 11 anëtarë për të bashkëpunuar për futjen e taksës. Shansi për futjen e taksës vazhdon të ekzistojë, dhe këtë ministri gjerman i Financave Schäuble mund ta shohë si sukses të vetin. Por procedura mbetet e komplikuar dhe mund të duhen vite derisa taksa të aplikohet në praktikë.
Disa shtete të BE-së aplikojnë tashmë taksa mbi tregjet financiare por sipas modeleve shumë të ndryshme. Edhe vetë Britania e Madhe ka një të ashtuquajtur "taksë vule", e cila megjithatë aplikohet mbi një pjesë shumë të vogël të transaksioneve në bursën e Londrës.
Ministrja austriake e Financave, Maria Fekter, është për vendosjen e taksës. Ajo sheh tek taksa para së gjithash një burim të ardhurash. Tregjet financiare duhet të përfshihen në masën e duhur në shpëtimin e tyre, gjë që deri tani është bërë nga taksapaguesit:"Taksa do të sillte para në arkë kur është fjala për shembull për rrjetet e përbashkëta evropiane të sigurisë si sigurimi i depozitave apo likuidimin e bankave, për reduktimin e malit të borxheve."