Bernd Riegert raportonte më 11 shtator 2001 nga Uashingtoni për DW
22 Maj 2013Ora po shkonte 9. Unë isha i ulur duke ngrënë mëngjesin në apartamentin tim në Aleksandri, një lagje në hyrje të Uashingtonit. Po shfletoja gazetën. Siç është zakon në Amerikë, televizori rrinte hapur në kuzhinë tek CNN. Me cepin e syrit kapa një pamje që tregonte kullat e njohura binjake në Manhatan. Njëra prej tyre po digjej. Pyeta veten, ky na qenka filmi i ri- aksion që do të shfaqet së shpejti nëpër kinema, dhe nëse këto pamje ishin vetëm lajmërimi?! Shpejt e kuptova se pamjet ishin reale. Mendova një avion sportiv, një aksident? E mori dreqi! Sot sërish duhet të përgatitësh ndonjë raportim aktual, thashë me vete. Në të vërtetë në plan kisha fiksuar orare të tjera.
Kapa telefonin për të folur me redaksinë në Këln. „Po, një avion është përplasur me Qendrën Botërore të Tregtisë“, e sigurova redaktorin. Agjencitë e lajmeve ende nuk kishin reaguar, kështu përgatita shpejt një raport për emisionin e orës 15:00. Tre minuta më pas prisja në telefon për t'u lidhur drejtpërdrejt me emisionin radiofonik të lajmeve. Pak para se të fillonte emisioni, pashë se si një avion i dytë u përplas me kullën e dytë. Një avion i madh pasagjerësh! O Zot!
Lajme katastrofash vazhdimisht
Pas lidhjes së dytë në të njëjtin emission, mendova pak para orës 09:30 se si t'ia bëja për të gjetur se çfarë po ndodhte. Telefonët e policisë dhe zyrave qeveritare ishin vazhdimisht të zënë. Përveç CNN-it, hapa edhe NPR-in, radion publike amerikane. Aty lajmet ia zinin vendin njëri-tjetrit. Tym mbi Shtëpinë e Bardhë! Autobombë para Ministrisë së Jashtme! Pastaj në një shkollë në Florida doli para kamerave, presidenti amerikan George Bush, i tronditur thellë. Amerika është sulmuar, pohoi ai. Ishin terroristët.
Programi radiofonik i DW-s mori vendimin të dilte jashtë skemës së programit dhe të vazhdonte të transmentonte drejtpërdrejt. Pra, unë isha i lidhur gjithë kohës drejtpërdrejt me radion për të raportuar. Ndërkohë rrjetet e celularëve, por edhe interneti që asokohe nuk ishte aq i zhvilluar, ishin të bllokuara. Për të bërë kërkimet e duhura, duhej të mbërrija në studio, në qendër të qytetit, vetëm disa godina larg Shtëpisë së Bardhë.
Qyteti fantazmë Uashington
Autostrada nga Aleksandria që të çonte në Uashington dhe kalonte nga Ministria e Mbrojtjes, Pentagoni ishte totalisht e bllokuar. Nuk ishte aksident, aspak, shoferët ishin ndaluar, sepse nga Pentagoni shihej si dilnin re të zeza tymi dhe flakë nga ndërtesa-fortifikatë. Të shokuar ne qëndronim në krah të makinave. Sulmi dukej se kishte kaluar në kryeqytetin amerikan. Ne e dinim se ndodheshin edhe avionë të tjerë në ajër. Objektivi tjetër mund të ishte Shtëpia e Bardhë apo Kapitoli, godina e parlamentit.
Unë mora një kthesë (duke shkelur rregullat e qarkullimit) dhe u futa në një supermarket në daljen më të afërt. Për shkak se celularët nuk funksiononin, atëherë kapa në një kabinë telefonin afër kasës, dhe u ula për të raportuar. Klientët dhe shitëset ishin grumbulluar para një televizori. Askush nuk blinte. Më vonë gjatë ditës ishte evakuar i gjithë qyteti. Nuk kishte gati asnjë lëvizje me makinë. Rrugët ishin bosh. Një qytet fantazmë, edhe më vonë, pas dhënies së lajmit se nuk kishte më asnjë rrezik dhe as avionë të tjerë në ajër. I katërti ishte rrëzuar në Shanksville, në Pensilvani.
Mbasdite vonë shkova nga studio në Shtëpinë e Bardhë që ishte rrethuar hermetikisht. Diku thellë poshtë barit në bunker rrinte ulur, zëvendëspresidenti, Dick Cheney duke pritur presidentin Bush, që vetëm në mbrëmje mbërriti në Uashington. Në gardhin rrethues të Shtëpisë së Bardhë takova një çift turistësh gjermanë, që më pyeti, se çfarë kishte ndodhur, ku ishin larguar njerëzia. Që të dy nuk kishin marrë vesh asnjë lajm dhe mendonin se ndoshta ishte një ditë feste apo diçka e përafërt.
Përgjithmonë të ndryshuar
„Ne nuk do të harrojmë“: Shtylla të ndriçuara të kujtojnë ditën, që ka hyrë në historinë botërore.
Për mua 11 Shtatori dhe ditët e javët që pasuan ishin si një ditë e pandërprerë pune, pa gjumë. Kolegët e mi amerikanë, fqinjët, miqtë ishin fillimisht të shokuar, pastaj tepër të vendosur për të gjetur autorët. Sulmi ndaj Amerikës ishte për këtë vend një pikë e fortë kthese. Kur më duhej të përshkruaja se si njerëzit hidheshin nga kullat binjake duke gjetur vdekjen e sigurtë, dhe duke marrë jetë të tjera në momentin e rënies, më iku zëri për herë të parë në program. Lotët rrodhën. Që atëherë kjo nuk më ka ndodhur më. 11 Shtatori ka qenë pa asnjë dyshim historia „më e madhe“ e të gjithë jetës sime si reporter.