1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

10 Jahre Guantanamo

11 Janar 2012

Dhjetë vjet më parë, në burgun ushtarak amerikan në Guantanamo Bay u dërguan të burgosurit e parë. Presidenti Obama planifikonte ta mbyllte burgun brenda një viti pas marrjes së postit. Guantanamo ekziston ende.

https://p.dw.com/p/13h92
Pamje simbolike - burgu i Guantanamos
Pamje simbolike - burgu i GuantanamosFotografi: dapd

Guantanamo ishte një zgjidhje e përshtatshme, thotë James Carafano. Eksperti për politikën e mbrojtjes dhe sigurisë në fondacionin konservator Heritage, shpjegon se sipas tij, nuk kishte procedurë të përshtatshme për rrethanat e atëhershme. Çështje vendimtare asokohe ishte: si të sillemi me të burgosurit, të cilët u kapën në një luftë, ku pala kundërshtare nuk ishte një shtet tjetër, pra kur rregullat e të burgosurve të luftës nuk zbatohen? Një proces civil, siç kërkohet nga kritikët e Guantanamos, nuk shtrohej për diskutim: "Asnjë vend i botës nuk ka qenë ndonjëherë i mendimit se krimet e luftës mund të hetohen dhe ndiqen penalisht publikisht si në rastin e një procesi civil."

I burgosur shtrirë në tokë në burgun e Guantanamos
Në fillim kushte çnjerëzore për të burgosuritFotografi: dapd

Për këtë arsye qeveria e presidentit George W. Bush vendosi t'i dërgojë të burgosurit në Guantanamo. Atje ata ishin jashtë juridiksionit të SHBA-së dhe mund të mbaheshin në masa sigurie e të merreshin në pyetje. Gjykata Supreme e SHBA-së ndërkohë ka vendosur ndryshe: të burgosurit mund t'u referohen të drejtave të kushtetutës së SHBA-së.

Alternativat nuk kanë munguar as në fillim

Ndërsa kritikët tërheqin vëmendjen për mundësinë për të ngritur një kamp të burgosurish lufte në Afganistan ose për t'i burgosur ata në SHBA. Andrea Prasow nga organizata Human Rights Watch, shpjegon se situata ka qenë e qartë, qoftë atëherë qoftë tani: "Të burgosurit, të cilët kanë kryer krime, mund të ndiqen penalisht. Nëse kanë shkelur ligjet e SHBA-së mund të paditen para një gjykate amerikane. Kush shkel ligjet afgane, mund të paditet atje dhe nëse nuk ka prova të mjaftueshme duhet të lihen të lirë."

Ajo argumenton se gjykatat civile janë shumë mirë në gjendje të trajtojnë rastet e terroristëve, dhe këtë e dëshmojnë qindra dënime: "Gjykatat civile në SHBA nuk janë miqësore ndaj të paditurve, aq më pak ndaj terroristëve. Këta persona marrin dënime të gjata me burg dhe dërgohen në burgje të sigurisë së lartë, ku kanë pak kontakt me botën e jashtme."

Edhe James Carafano pranon se kushtet e burgut vitet e para nuk ishin të pranueshme. Në vend që të kërkonte alternativa, qeveria amerikane është përpjekur të përsosë Guantanamon, pra të përmirësojë kushtet e burgut: "Problemi për SHBA-në ishte që politika u zhvillua në një drejtim krejt tjetër. Guantanamo u bë simboli i gjithçkaje negative në lidhje me luftën kundër terrorit, p.sh. për 'waterboarding', megjithëse ajo nuk ishte aplikuar asnjëherë në Guantanamo."

Të burgosur me uniforma portokalli nën vëzhgimin e rojeve në Guantanamo.
Burg pa afat, pa vendim gjyqi - 46 të burgosur në Guantanamo nuk kanë perspektivë largimiFotografi: picture-alliance/dpa

Dispozitat ligjore bëjnë të pamundur mbylljen

Kur erdhi në detyrë Presidenti i SHBA-së Barack Obama, deklaroi se do ta mbyllte Guantanamon brenda një viti. Por kjo rezultoi e vështirë. Në Guantanamo kanë qenë gjithsej 800 të burgosur. Nga 171 të burgosurit që ndodhen ende atje, 89 kanë leje për t'u larguar. Pjesa më e madhe vijnë nga Jemeni, por për shkak të situatës së paqëndrueshme në vend dhe numrit të madh të terroristëve atje, nuk është i mundur dërgimi i të burgosurve të Guantanamos. Ndërsa 46 të burgosur duhet të mbahen për kohë të pacaktuar dhe pa padi në kamp.

Ditën e fundit të vitit të kaluar Presidenti Obama nënshkroi një ligj, në të cilin nga Kongresi lejohet kjo mbajtje në kohë të pacaktuar. Më parë Kongresi kishte miratuar një tjetër ligj, i cili bën të pamundur transportin e të burgosurve në SHBA. Kjo e vështirëson argumentimin kundrejt shteteve të cilat duhet të pranojnë të burgosurit. Pra mbyllja e këtij burgu duket thuajse e pamundur, për shkak të dispozitave ligjore.

Specialisti për çështje të mbrojtjes dhe sigurisë në fondacionin Heritage, James Carafano
Mbyllja e Guantanamos thuajse e pamundur - James Carafano nga fondacioni HeritageFotografi: Heritage Foundation

Qeveria e vendosur për mbylljen e Guantanamos - Kritikët shprehin dyshime

E megjithatë Ministria e Jashtme e SHBA-së deklaroi në fillim të javës se qeveria amerikane edhe më tej është e vendosur ta mbyllë burgun. Gjatë mandatit të presidentit Obama janë transferuar gjithsej 67 të burgosur. Presidenti Obama ka urdhëruar të shqyrtohet rregullisht burgimi i disa të burgosurve, për të siguruar që koha e gjatë e burgimit është e "përligjur" dhe "nuk minon përpjekjet e qeverisë amerikane për mbylljen e Guantanamos".

Megjithatë të gjithë ekspertët janë të mendimit se ka pak gjasa që Guantanamo të mbyllet së shpejti. James Carafano nga fondacioni Heritage: "Katër vitet e ardhshme, pavarësisht se kush do të jetë president, Guantanamo do të vazhdojë të ekzistojë dhe atje do të ketë ende të burgosur të luftës kundër terrorit."

Autor: Christina Bergmann / E. Xhani

Redaktoi: Elert Ajazaj