1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

10 miliardë euro ndihma për refugjatët dhe Ukrainën

9 Prill 2022

Në një konferencë donatorësh në Varshavë janë mbledhur më shumë se 10 miliardë euro për Ukrainën. BE sulmin me raketa në Kramatorsk e quajti krim lufte.

https://p.dw.com/p/49iLs
Polen Warschau | Aktion "Stand up for Ukraine" mit Ursula von der Leyen
Fotografi: Kacper Pempel/REUTERS

Në një konferencë ndërkombëtare donatorësh për të mbledhur ndihma për refugjatët nga Ukraina e organizuar në Varshavë janë grumbulluar donacione dhe kredi në vlerë 9,1 miliardë euro. Kancelari gjerman, Olaf Scholz në një videomesazh në konferencë premtoi 425 milionë euro ndihmë humanitare dhe ndihmë zhvillimi për Ukrainën dhe vendet fqinje nga Gjermania. Kësaj i shtohen 70 milionë euro ndihmë mjekësore. "Gjermania qëndron në krah të Ukrainës", tha Scholz.

Polen Warschau | Aktion "Stand up for Ukraine" mit Ursula von der Leyen
Fotografi: Kacper Pempel/REUTERS

Kurse Komisioni Europian ka vënë në dispozicion 1 miliardë euro për Ukrainën. Krahas këtyre ndihmave, Banka Europiane për Rindërtimin dhe Zhvillimin do të vendosë si shtesë në dispozicion edhe 1 miliardë euro të tjera për njerëzit e larguar nga lufta, tha presidentja e KE, Ursula von der Leyen në Varshavë. "600 milionë euro do të shkojnë për Ukrainën dhe autoritetet ukrainase e pjesërisht për Kombet e Bashkuara." Kurse 400 milionë euro shkojnë në vendet kryesore që kanë pritur numrin më të madh të refugjatëve. Konferenca u organizua nga Komisioni Europian, nga organizata joqeveritare, Global Citizen, dhe qeveria kanadeze. Fondet do të shkojnë po ashtu për projekte të OKB. Polonia ka pritur deri tani më shumë se 2,5 milionë nga 4,4 milionë refugjatë që janë detyruar nga zonat e luftimeve në Ukrainë.