Kim de l'Horizon fitues i Çmimit Gjerman të Librit
18 Tetor 2022Kim de l'Horizonit nuk i besohej që kishte fituar çmimin e njohur gjerman të librit, Deutscher Buchpreis. Sipas jurisë, romani "Blutbuch” (Libër gjaku) u nderua për "ekspresivitetin dhe fuqinë novatore letrare”.
Pas shpalljes së çmimit në Bashkinë e Qytetit të Frankfurtit, Kim de l'Horizon hyri spontanisht në audiencë për të përqafuar shoqëruesit. Pas kësaj pati një falënderim të përlotur për nënën dhe një këngë të improvizuar.
"Në të vërtetë mendoja se nuk do t'i mbaja syzet për arsye estetike, por tani po i mbaj”. Kështu filloi fjalimi i Kim de l'Horizon në Frankfurt dhe në fund autorja jobinare nga Zvicra rrojti kokën. Një gjest për të treguar solidaritet me gratë iraniane - sepse pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini, shumë gra atje prenë flokët.
"Ky çmim nuk është vetëm për mua," tha Kim de l'Horizon, duke ia dedikuar çmimin prej 25 000 euro grave në Iran që aktualisht po demonstrojnë për të drejtat e tyre në kushte kërcënuese për jetën. "Unë mendoj se juria zgjodhi këtë tekst edhe për të dhënë një shembull kundër urrejtjes, për dashurinë, për luftën e të gjithë njerëzve që janë të shtypur për shkak të trupit të tyre."
Për çfarë flet "Libri i gjakut"?
Personazhi jo-binar i "Blutbuch" jeton në Cyrih pasi është larguar nga fshati i vogël konservator në Zvicër ku u rrit. Në qytetin e madh ajo është e kënaqur me jetën e saj dhe mund ta jetojë lirisht identitetin e saj.
Kur i sëmuret gjyshja nga demenca, ajo fillon të mendojë: I drejtohet gjyshes drejtpërdrejt në roman, duke filluar me një listë të të gjitha temave, për të cilat nuk folën kurrë, duke përfshirë identitetin fluid gjinor të protagonistes, por edhe racizmin e gjyshes.
Sekretet dhe heshtja në familje janë ndër temat më të preferuara në letërsinë gjermane. Nëpërmjet protagonistit të saj jobinar, de l'Horizon i qaset temës nga një këndvështrim i ri dhe i shton një akuzë të re, familjes plot të pathëna.
Çmimi Libri i Gjakut vjen pikërisht, pasi qeveria federale, në qershor 2022, miratoi një ligj për të lehtësuar ndryshimin e gjinisë.
Çmimi rrit shitjet
Çmimi Gjerman i Librit është një nga çmimet më të rëndësishme letrare në gjuhën gjermane, i cili shpesh rrit ndjeshëm shitjet e laureatëve.
Përveç kësaj, librat fitues të çmimeve marrin vëmendje të madhe ndërkombëtare, promovohen nga Instituti Goethe në të gjithë botën dhe përkthehen në gjuhë të tjera, ndonjëherë edhe në anglisht - që është ende një gjë e rrallë.
Pesë autorët e tjerë ishin nominuar më parë për këtë çmim: Fatma Aydemir, Kristine Bilkau, Daniela Dröscher, Jan Factor dhe Eckhart Nickel. Çmimi Gjerman i Librit jepet në Panairin e Librit në Frankfurt, dhe mund të konsiderohet si homologu i çmimit britanik "Man Booker” l. Vitin e kaluar atë e mori autorja Antje Rávik-Strubel për romanin e saj evropian "Ora Blu".