1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çfarë presin gratë në Iran nga zgjedhjet e ardhshme presidenciale?

Jamsheed Faroughi; Maryam Ansari11 Maj 2005
https://p.dw.com/p/ArPJ
Protesta për lirinë e shtypit në Iran
Protesta për lirinë e shtypit në IranFotografi: AP

Ish presidenti iranian Akbar Hashemi Rafsanxhani i cili prej kohësh konsiderohet favorit në zgjedhjet presidenciale të 17 qershorit ka shpallur tani zyrtarisht kandidaturën e tij. Presidenti aktual Mohamed Katami pas dy mandatesh duhet të largohet nga ky post. Rafsanxhani etiketohet si konservator pragmatik të cilit i besohet më shumë se kujtdo tjetër arritja e një zgjidhjeje diplomatike e krizës atomike dhe hapja ekonomike me armikun e vjetër, Amerikën. Por axhenda e reformave në vend ka të tjera prioritete, psh lëvizjen e grave iraniane e cila pas lulëzimit gjatë mandatit të parë presidencial të reformatorit Katami, është zhgënjyer nga pozicionet e forta të konservatorëve në politikën iraniane.

Lufta e grave iraniane për të drejtat e tyre është po aq e vjetër sa historia e qeverisë islamike që prej revolucionit të Komeinit në vitin 1979. Fitoret e presidentit aktual Katami në zgjedhjet presidenciale të vitit 1997 dhe 2001 do të kishin qenë të papërfytyrueshme pa mbështetjen e grave dhe të të rinjve. Pas fitores së tij të parë presidenti reformator Katami premtoi se do t'i kushtonte më shumë vëmendje problemeve dhe nevojave të grave dhe se do të angazhohej me forcë për të drejtat e tyre.

Marzie Mortazi Langerudi, gazetare dhe aktiviste për të drejtat e grave i vlerëson ndryshimet pozitive gjatë mandatit të parë presidencial të Katamit: "Roli i Katamit, qëndrimi i tij politik dhe dashuria e tij për lirinë çuan në kapërcimin e disa pengesave. Katami arriti të bënte dallimin mes çështjeve politike dhe atyre shoqërore. Gjatë mandatit të tij mund të bëheshin kërkesa ose të ushtrohej kritikë ndaj pushtetarëve. Këto konsideroheshin tipare themelore të lëvizjes reformatore dhe nuk dënoheshin. Katami tregonte mirëkuptim për problemet e grave dhe të rinisë, dhe këta kishin mundësi të shprehnin dëshirat dhe kërkesat e tyre gjatë presidencës së Katamit."

Në atë kohë sipas znj. Langerudi u themeluan rreth 2000 organizata joqeveritare dhe organizata të grave të cilat krijuan bazën për një lëvizje të pavarur të grave në Iran. Por ky proçes nuk u vazhdua gjatë mandatit të dytë. Lëvizja reformatore u dobësua shumë. Gazetat dhe revistat që mbështesnin lëvizjen reformatore u mbyllën, gazetarët dhe aktivistët politikë u burgosën, studentët opozitarë që kishin mbështetur Katamin u pezulluan nga studimi. Përjashtimi i reformatorëve nga zgjedhjet parlamentare të 2004-s ishin goditja pasuese. Pas fitores së konservatorëve në këto zgjedhje shumë reformatorë, aktivistë politikë dhe intelektualë ishin të vendosur të angazhoheshin për ripërtëritjen e lëvizjes reformatore.
Znj. Langerudi është e bindur se konservartorët nuk janë në gjendje të prapësojnë gjithçka. Edhe vetë kandidatët konservatorë do të jenë të detyruar gjatë fushatave të tyre elektorale të bëjnë të paktën pjesërisht të tyret parrullat dhe premtimet e reformatorëve.
Megjithatë shumë intelektuale në rradhët e grave, psh gazetare dhe aktiviste për të drejtat e grave bëjnë thirrje për bojkotim të hapur të zgjedhjeve të ardhshme pasi kanë shumë pak shpresa për një ndryshim rrënjësor të politikës.
Azam Talegani, një ish deputete e cila edhe pse pa asnjë shpresë kandidon në zgjedhjet e ardhshme presidenciale,kritikon qëndrimin e Këshillit Mbikqyrës Islamik dhe rolin e tij frenues: "Vetëm nëse Këshilli Mbikqyrës Islamik do të ishte i gatshëm të revidonte kushtetutën iraniane dhe interpretimin e saj atëherë do të kishte shpresë. Përsa kohë anëtarët e këtij këshilli do të ngulin këmbë në qëndrimin e tyre të ngurtë dhe të njëanshëm problemet mbeten të pazgjidhura."
Narges Mohamadi, anëtare e shoqatës për të drejtat e njeriut në Iran dhe e shoqatës për të drejtat e të burgosurve politikë nuk është e kënaqur me politikën ndaj grave gjatë mandateve presidenciale të Katamit. Asnjë grua nuk është emëruar ministre gjatë kësaj kohe dhe në përgjithësi ato janë të përjashtuara nga postet e larta thotë Mohamadi. "Kush fiton në zgjedhjet presidenciale duhet të ofrojë më shumë se thjesht premtime dhe parrulla elektorale. Nga ai duhet të kërkohen hapa konkretë për zgjidhjen e problemeve të grave. Vendosmërinë në angazhimin për përmirësimin e gjendjes së grave nuk e kemi parë gjatë qeverisjes së Katamit. Edhe programet elektorale të kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme presidenciale nuk na japin asnjë arsye për optimizëm."