1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çelsi kampion i Ligës së Kampionëve

Bahri Cani20 Maj 2012

Bajerni i Mynihut humbi ndeshjen finale të Ligës së Kampionëve kundër Çelsit të Londrës, megjithëse ishte shumë më i mirë gjatë 120 minutave lojë. Ndeshja u vendos prej penalltive.

https://p.dw.com/p/14yv7
Munich's Mario Gomez (R) tries to score against Chelsea's Gary Cahill (L) during the UEFA Champions League soccer final between FC Bayern Munich and FC Chelsea at Fußball Arena München in Munich, Germany, 19 May 2012. Photo: Marc Mueller dpa/lby +++(c) dpa - Bildfunk+++
Fotografi: picture-alliance/dpa

Bajerni nuk realizoi qëllimin e madh dhe nuk arriti të shkruajë një faqe të re historie në futboll, që si ekipi i vetëm në Evropë të fitojë finalen e Ligës së Kampionëve në stadiumin e vet. Bavarezët humbën para publikut të tyre pas ekzekutimit të penalltive me rezultatin 3:4 (në kohën e rregullt dhe pas vazhdimeve ndeshja përfundoi me rezultatin 1:1). Në këtë mënyrë bavarezët humbën edhe finalen e dytë brenda tri vitesh, pasi në vitin 2010 kishin humbur ndaj Interit të Milanos me rezultatin 0:2. Në gjuajtjen vendimtare të penalltive, Bastian Schweinsteiger qëlloi shtyllën, ndërsa Drogba ishte i sigurt dhe shënoi filllimin e festimit të madh të londinezëve në Mynih dhe në Londër. Ishte kjo fitorja e parë e Çelsit në Ligën e Kampionëve.

Bajerni ishte më i mirë, por ...

Lojtarët e Bajernit të Mynihut e filluan ndeshjen para 62.500 shikuesve me një ritëm shumë të lartë duke krijuar mundësi të shpeshtë për shënim. Çelsi filloi ndeshjen me një mbrojtje të përforcuar. Arjen Robben i Bajernit qëlloi edhe shtyllën në pjesën e parë, ndërsa Mario Gomes nuk realizoi një shans shumë të mirë. Çelsi në sulm nuk ekzistonte fare e megjithatë pjesa e parë përfundoi pa gola.

Mario Gomez (R) of Bayern Munich reacts during their Champions League final soccer match against Chelsea at the Allianz Arena in Munich, May 19, 2012. REUTERS/Dylan Martinez (GERMANY - Tags: SPORT SOCCER)
Pamje nga finalja e Champions League 2012: FC Bayern München - FC ChelseaFotografi: Reuters

Edhe në pjesën e dytë Bajerni vazhdoi me presion ndaj golit të portjerit shumë të mirë Peter Cheh i cili ishte i sigurt deri në minutën 83 kur Thomas Müller shënoi me kokë. Por gëzimi i madh në Mynih dhe në Gjermani zgjati vetëm pesë minuta, sepse Çelsi shënoi pas sulmit të parë në drejtim të golit të Manuel Neuer-it. Didier Drogba goditi me kokë fuqishëm një krosim dhe barazoi në 1:1.

Fillimi dramës së vërtetë

Por pikërisht Drogba ishte ai i cili nga heroi i ndeshjes u shndërrua në figurën më tragjike. Vetëm tri minuta pas fillimit të vazhdimeve goditi nga mbrapa Franck Ribéry dhe e rrëzoi në zonën e rreptësisë. Arbitri mjaft i mirë nga Portugalia, Pedro Proenca, dha penallti për Bajernin. Por Arjen Robben qëlloi shumë dobët që për portjerin shumë të sigurt të Çelsit nuk ishte ndonjë sfidë serioze. Deri në minutën 120 nuk pati më ndonjë shans tepër të madh. Dhe si shumë herë më parë, finalja u vendos nga 11-metërshi.

Champions League Finale Mai 2012 FC Bayern München gegen FC Chelsea
Petr Cech, Arjen Robben gjatë finales së Champions League 2012Fotografi: Reuters

Portjeri i Bajernit Manuel Neuer filloi shumë mirë duke mbrojtur gjuajtjen e Mata. Por londinezët ishin të sigurt në të gjitha gjuajtjet tjera. Bavarezët realizuan tri gjuajtjet e para (Lahm, Gomes dhe Neuer) ndërsa në gjuajtjet vendimtare (të katërtën dhe të pestën), Ivica Oliq dhe Bastian Schweinsteiger nuk shënuan. Në gjuajtjen e fundit për Çelsin Drogba ishte shumë i sigurt dhe i solli "Blues-ve" fitoren e parë në Ligën e Kampionëve.

Bajerni është ekipi i parë, i cili ka arritur të kualifikohet në finalen e Ligës së Kampionëve në stadiumin e vet. Por as Bajerni nuk arriti ta realizojë këtë shans kështu që edhe më tej mbetet të pritet se cili ekip do të fitojë finalen e parë para tifozëve të vet.